Hyrje
Komenteve, statuseve apo reagimeve të çfarëdollojshme në Facebook nuk u përgjigjem asnjëherë. As pëshpërimave lart e poshtë, sidomos kur janë të lidhura me çështje të cilat unë i kam të botuara. Pra, mendoj se dinjiteti i një replikuesi kërkon që ashtu si për një artikull publicistik apo shkencor, edhe për një libër letrar apo studimor, idenë e vet ta japë në po të njëjtën formë: të botuar, çka do të thotë, të pandryshueshme. Por në këtë rast, për herë të parë po bëj një përjashtim, i nxitur nga burime të trembura informacioni që më nisin vjegza statusesh apo screenshot-e komentesh ku vetë rrijnë si përfaqësues tipik të shprehjes as mish – as peshk, çka do të thotë se i hedhin një like e mandej, sapo kryejnë këtë akt vetmitar trimërie, ma nisin mua shkrimin a shënimin e pëlqyer shoqëruar nga: “Po si nuk ka turp, bën kot sikur nuk të kupton”. Kështu, kjo pjesë e parë e hyrjes është më shumë një justifikim për Andreasin e nesërm, që duke kërkuar ndonjë material në arkivin e tij, do të përballet me këtë shkrim dhe do të pyes veten: “Po si ore s’të ka ardhur zor që i ke kthyer përgjigje kërkimtarëve të facebook-ut?”
Tani, për tu kthyer te objekti i këtij shkrimi: Ndonjë kureshtje e sinqertë që është shuar pas përgjigjeve të marra, ka ekzistuar qysh kur në 13 janar, 2024 u botua në “ExLibris” (fq. 2-4) shkrimi “‘Marzia’, romani i parë i shkruar në gjuhën shqipe”. Prandaj, tani kur papritmas vëmendja u kthye te ky shkrim çka solli edhe përfundimin e tirazhit të parë të romanit të ribotuar në qershor, 2024 nga “Onufri”, po i vendos këtu si nëntema përgjigjet kthyer atyre kureshtarëve dashamirës, i bindur se edhe aramta dashakeqase e Facebook-ut, me ose pa dëshirë, do t’i gjejë zgjidhjet e kureshtjeve të veta nëpër të, nëse vendos ama të jetë stoike në procesin më të vështirë për to: të lexuarin.
Nuk është krijim, por përkthim!
Kjo fjali e përsëritur herë pas here tregon se mes shkrimit dhe leximit, shumëkush zgjedh një herë shkrimin e mandej leximin. Kjo fatkeqësi më mërzit, sidomos për faktin që unë jam një njeri me shumë gjasa i dalë mode që ka vendosur t’i drejtohet publikut më shpesh me tekst sesa me zë. Përtej kësaj, e gjitha tregon edhe një mungesë të plotë pranie të një ngasjeje sado të vogël për të kuptuar shkrimin dhe jo për ta goditur atë. Në faqen 4 të “ExLibris”-it që citova më lart, janë dy pjesë të shkrimit, përkatësisht Dramatizimi i veprës dhe Origjina e tekstit ku sqaroj procesin e ndjekur nga Nikaj për shkrimin e këtij romani bazuar në një tjetër të mëhershëm, përkatësisht “Marzia la vestale” me autor Enrico Mastracchi, botuar në Firence më 1875 dhe them shprehimisht: kemi të bëjmë me një roman që nuk është tërësisht krijim vetjak i autorit, por përshtatje dhe ritregim i një teksti pararendës. Pra, ideja se mund të akuzohem me një pohim timin është krejt qesharake dhe për rrjedhojë, nuk meriton përgjigje. Megjithkëtë, te botimi i plotë i romanit, unë kujdesem të them Romani i parë në gjuhën shqipe dhe jo romani i parë shqiptar, paçka se, duke pasur parasysh historinë e shkrimit shqip që qysh në krye të herës ka qenë e lidhur fund e krye me përkthimin, nga ndonjë pikëpamje, edhe kjo qasje e dytë mund të qendrojë.
Në vazhdim, duke realizuar një krahasim të plotë mes tekstit të Nikajt dhe atij të Mastracchi-t, kam arritur në konkluzionin që nga Nikaj ndodh një ritregim duke përkthyer pjesë të caktuara prej tekstit burimor, por edhe duke shtuar një dozë të arsyeshme kreativiteti. Po ashtu, duke krahasuar bashkë me këto dy tekste edhe një dorëshkrim autograf të Nikajt, shkruar disa kohë pas botimit të romanit, them se Ndryshimi tërësor, ose ritregimi me fjalët, shprehjet dhe stilin e tij prej shkrimtari të pjekur tanimë, duket se ka qenë dëshira e mëvonshme e autorit, e parealizuar, pasi ky dorëshkrim përveçse i pabotuar, është i pambaruar në fondin arkivor të Nikajt pranë AQSH.
Dom Ndoc Nikaj nuk pretendon autorësi mbi “Marcian”
Ky është një muhabet kot.
Mesa duket, dom Ndoc Nikaj, në rishkrimin e romanit “Marcia” vite pas botimit të 1892, sipas kësaj dëshmie autoriale të botuar pjesërisht edhe më parë, e quan veten “auktor të tekstit”, duke shuar çdo sajesë se ai asnjëherë nuk ka pretenduar autorësi mbi “Marcian” 🙂

Nuk është romani i parë shqiptar!
Duke përmendur “Bardhën e Temalit” apo “Dashurinë e Telatit me Fitneten”, më është thënë se herë njëri e herë tjetri është romani i parë shqiptar. Ndonëse unë nuk pretendoj të mbaj flamur primati, paçka se – dhe e përsëris këtë – nuk kundërtshtoj ata që mendojnë se “Marcia” është i tillë për arsye të cilat tanimë i përmenda, prapëseprap artikulohet kjo ide. Pas disa dyshimeve me gjurmë të lëna në ndonjë diskutim, jam bindur se pasaporta e një shkrimtari është vetëm gjuha dhe aq më tepër, e një teksti. Prandaj nuk mund ta pranoj fillimin e letërsisë shqipe në një tjetër gjuhë. Gjithësesi, e them prap, “Marcia” është romani i parë në gjuhën shqipe dhe ky vend, ndonëse filologjia nuk duhet parë kurrësesi si garë primatesh dhe fatmirësisht asnjë filolog i sotshëm nuk e bën këtë, nuk konkurohet dot nga romane të shkruar në një tjetër gjuhë.
Rasti i dytë që hap diskutim është ai i “Sofia e Kominiatëve”, shkruar nga Françisk Anton Santori në vitet ’70 të shek. XIX. I mbetur në dorëshkrim deri në vitin 2011 kur u përgatit për botim nga Italo Costante Fortino dhe Merita Sauku Bruci dhe u botua prej “L’Orientale”-s së Napolit, sigurisht që përmendet në artikullin tim të lartcituar, ashtu edhe në parathënien e ribotimit të “Marcias”, duke marrë madje si referencë të njëjtin burim me të cilin çelet parathënia e këtij botim të “Sofisë së Kominatëve”, “Histori e Letërsisë Shqiptare” nga Elsie ku shkruhet shprehimisht: Romanet e para shqiptare, krijime të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ose qenë shkruar në gjuhë të huaja si ai i Sami Frashërit në turqishte Taassuk-u Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten) i botuar më 1872, dhe si ai i Pashko Vasës në frëngjishte Bardha de Témal, scènes de la vie albanaise, Paris 1890 (Bardha e Temalit, skena nga jeta shqiptare), ose mbetën të pabotuara, si ai i Françesk Antonio Santorit “Sofia Kominiate”, me 282 faqe dhe i papërfunduar. Gazetaria e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dha mundësi për të hedhur themele të forta për prozën moderne, ndonëse grupi i parë i prozës së vërtetë letrare doli vetëm në fillim të shekullit të njëzetë me veprat e dom Ndoc Nikajt (1864-1951) nga Shkodra.
Kur unë në artikullin tim të janarit shkruaj Paçka se kishte romane të shkruara nga autorë shqiptarë në gjuhë të huaj, si “Dashuria e Talatit me Fitneten” e Sami Frashërit, botuar në turqisht më 1872 apo “Sofia Kominake”, i lënë në dorëshkrim nga Françesk Santori, mjafton njohja e kohës së foljeve për të kuptuar se kishte nuk i referohet kohës së tashme, por kohës kur u botua “Macia” që është edhe objekt i artikullit tim. Po të mos ishte i njohur për mua fakti se “Sofia e Kominatëve” ishte botuar shumë vonë në raport me kohën për të cilën po shkruaj, me shumë thjeshtësi do të thoja paçka se ka, si një njeri që modestisht i njeh deri diku kohët e foljeve.
Nisur si prej kësaj, ashtu sikurse prej gjithë frymës së artikullit, duket krejt qartë se fjala është për romanin e parë të botuar në gjuhën shqipe dhe “gabimi” i vetëm në aty, është mosqartësimi i këtij fakti qysh në titull, me idenë mesa duket jo të drejtë se lexuesi do ta kuptojë se të shkruarit në këtë rast nënkupton të botuarit, një rrëshqitje jo krejt e pavetëdijshme, duke mbajtur parasysh audiencën e gjerë së cilës i drejtohet gazeta, ku këto dallime filologjike nuk qëmtohen as aq masivisht, as kaq imtësisht. E them këtë, pasi në një tjetër artikull me objekt të ngjashëm, kjo çfarë thashë më sipër është shmangur për të mos krijuar ndonjë hapsirë të mundshme për dyshime dhe keqkuptime.
Konkluzione
Konkluzionet e këtij shkrimi janë dy, dhe krejt të thjeshta:
1. Po u lexua shkrimi nga fillimi gjer’ në fund, gjithçka bëhet më e qartë;
2. Për ta realizuar si duhet procesin e leximit të shkrimit, duhet të njohësh kohët e foljeve.