Libra

Libri i fundit, Onufri 2022

Në besë
të tatuazhit tënd

Një roman dashurie me frymë të re, me forcën dhe bukurinë që të jep dashuria, plot me ndjesi si tatuazhe në ajër, lëvizje dhe urbanistikë, ngjarje që përziehen me legjendën e modernizuar, copëzime në kohë dhe në personazhe të saj pa emra, që mund të emërohen gjatë leximit që të rrëmben, magjik dhe superrealist ndërkohë, ku detaji duket sa eksperimental, po aq dhe përsiatje psikologjike, me sinqeritet deri në guxim artistik, një prurje pasuruese e letrave shqipe sot.

Visar Zhiti

Tekst që, bashkë me disa të tjerë viteve të fundit, dëshmon për një frymë dhe ndjeshmëri të re në letrat shqipe. Në këtë roman janë gërshetuar befasishëm dhe bukur elementë biografikë me ato të trilluar, duke krijuar qëllimshëm një “mjegull kuptimore”, ku lexuesi ndihet i provokuar.

Ridvan Dibra

Albas, 2019

Pragu i braktisjes

Kur braktisja vjen, ne ku ikim? Kësaj pyetjeje të pashtruar nga askush, por të ndërtuar në nënvetëdijen e poetit Noe Dajani, jeta e tij i kthen përgjigjen më të mirë. Ai kupton se bota e brendshme është shumë më e madhe se ajo e jashtmja, prandaj, nëse e para merr fund, as nuk vihet re çfarë ndodh në të dytën.

Veprime të nxituara, frikësuar nga ajo çfarë vetëm Dajani mund të humbë, thurur me vendime që ai merr duke dashur t’i përgjigjet sigurisë që të tjerët kërkojnë prej tij, ndërtojnë tabanin e një sërë ngjarjesh që në çdo rrethanë, kohë e hapësirë tjetër do të ishin krejt të pamundura.

Onufri, 2018

Marrja e gjakut

Romani i parë i Andreas Dushit

Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë e prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin në familjarët e vrasësit dhe ata të të vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët.

Nga Mali me Tym, vendi ku Voci dhe familja e tij jetonin, ngjarjet zhvendosen në një qytet mijëravjeçar, themelet e të cilit qëndronin mbi një grua. Qyteti ishte i famshëm për një Rapsod të Shquar i cili krijonte këngë për çdo gjë që ndodhte dhe për banorët e tij të gjithëdijshëm.

Mes dëshirës për t’u dukur, një realitet absurd zë vend në këtë qytet duke krijuar ngjarjen më të përfolur të të gjitha kohërave. Të vërtetën e kësaj ngjarjeje merr përsipër të të shpjegojë Ty rrëfimtari, krahas të cilit Ti do të lexosh këtë libër.

Scroll to Top