Tomer Persico: Ateizmi nuk i shpëton dot origjinës së tij fetare

Iluminizmi e paraqet ateizmin si rrjedhojën logjike të shkencës. Pas Copernicus-it, Newton-it dhe Darwin-it, ekzistenca e Zotit u bë gjithnjë e më pak e besueshme, derisa ideja e tij u braktis. Por, sipas Tomer Persicos, autorit të librit In God’s Image («Sipas shëmbëlltyrës së Zotit»), libër ky i vlerësuar nga Yuval Noah Harari, ky rrëfim mbi zanafillën e ateizmit është një iluzion. Duke u mbështetur te mendimtarë që nga Voltaire e deri te Nietzsche, Persico argumenton se mbizotërimi i ateizmit në Perëndimin modern nuk është rezultat i shkencës. Ai është, siç pohonte Nietzsche, rezultat i vlerave fetare prej të cilave ateizmi nuk ka arritur të çlirohet.

Nëse mungesa e Zotit do të ishte thjesht një fakt, ashtu si mungesa e shiut, konstatimi i tij nuk do të kërkonte ndonjë guxim më të madh sesa të ngrije sytë nga qielli. Askush nuk mendon se duhet guxim për të mos besuar te njëbrirëshit. E megjithatë, ateizmi është paraqitur gjithmonë si një çështje karakteri: ndershmërie, force morale, gatishmërie për ta parë realitetin drejt e në sy. Me fjalë të tjera, ateizmi nuk është thjesht një pohim. Ai është një etos.

Kjo bëhet edhe më domethënëse kur kujtojmë se çfarë përfaqësonte dikur ateisti. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë së Perëndimit, ateisti nuk shihej si hero, por si përbindësh, si një qenie e neveritshme, të cilën mund ta krahasonim me mënyrën se si shihet sot pedofili: jo vetëm si dikush që ngjall neveri, por edhe si një qenie e pakuptueshme gjer’ në frikë.

Le të marrim një shembull. Në vitin 1689, John Locke botoi veprën Letër mbi tolerancën, ku mbronte tolerancën, por jo ndaj ateistëve. «Ata që mohojnë ekzistencën e Zotit nuk duhen toleruar kurrsesi», shkruante Locke. «Premtimet, marrëveshjet dhe betimet, që përbëjnë lidhjet mbi të cilat mbahet shoqëria njerëzore, nuk mund të kenë asnjë fuqi detyruese për një ateist. Heqja e Zotit, qoftë edhe vetëm në mendim, i shpërbën të gjitha.»

Kur këto fjalë vinin nga një prej mendjeve më liberale të epokës, mund ta përfytyrojmë se çfarë mendonin të tjerët. Në të vërtetë, ateistët, ata fare të paktë që ekzistonin, e mbanin të fshehtë mosbesimin e tyre, sepse, po t’u shpëtonte qoftë edhe një fjalë, rrezikonin burgimin ose diçka edhe më të rëndë. Problemi nuk ishte vetëm teologjik; ateistët konsideroheshin kundërshtarë të natyrshëm të rendit, që vinin në rrezik harmoninë shoqërore dhe respektimin e ligjit. Të mohoje Zotin do të thoshte të këpusje fillin që mbante të lidhura moralin, shoqërinë dhe vetë arsyen.

Si ndodhi, atëherë, që vesi më i frikshëm i Perëndimit të shndërrohej jo vetëm në diçka të zakonshme, por, për disa, edhe në një nga virtytet e tij më të admirueshme?

Përgjigjja e dukshme është shkenca. Copernicus-i ia hoqi Tokës vendin në qendër të universit, Darwin-i ia hoqi njerëzimit pozitën qendrore, ndërsa Zoti, roli veprues i të cilit dukej gjithnjë e më pak i besueshëm, u la mënjanë. Ky është, natyrisht, miti që vetë Iluminizmi ka krijuar për zanafillën e tij, një rrëfim kthimi në besim sipas modelit: «Dikur isha i verbër, por tani shoh». Ashtu si shumica e miteve dhe e rrëfimeve të kthimit në besim, as këtë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë.

Dija, e vetme, rrallëherë arrin ta trondisë një besim deri në rrënjë. Bindeni një athinas të lashtësisë se vetëtima është një shkarkesë elektrike dhe ai nuk do të nxjerrë përfundimin se Zeusi nuk ekziston, por se Zeusi është një elektricist i jashtëzakonshëm. Ekzistenca e Zotit nuk hidhet poshtë thjesht duke provuar se shkrimet e tij të shenjta përmbajnë gabime. Teksti i kuptuar fjalë për fjalë mund të interpretohet gjithmonë si alegori, ndërsa parimet teologjike mund të ndryshohen duke ruajtur të paprekur thelbin: Zotin.

Dhe, në të vërtetë, një nga frytet e para të «filozofisë së natyrës» dhe të theksimit të rolit të arsyes nuk ishte ateizmi, por deizmi, një besim fetar i reduktuar në elementet e tij më themelore dhe i mbështetur tërësisht tek arsyeja, i cili u përhap gjerësisht në elitën e arsimuar të shekullit XVIII. «Besoj! Besoj te ti! O Zot i gjithëfuqishëm, besoj!», thërriste Voltaire-n, për të shtuar më pas: «Sa për monsieur Birin dhe madamë Nënën e Tij, tjetër histori». Për Voltaire-n, ekzistenca e një inteligjence supreme «nuk ishte çështje besimi, por arsyeje». Ishte diçka logjike, madje e domosdoshme. Arsyeja ishte kthyer kundër Kishës. Por ende nuk ishte kthyer kundër Zotit, i cili konsiderohej burimi i vetë arsyes. Për këtë duhej diçka më shumë sesa informacioni.

Kjo diçka ishte një imperativ moral dhe zhvillimin e tij mund ta ndjekim përmes tri etapave të historisë intelektuale europiane.

Etapa e parë mund të ilustrohet përmes mendimit të René Descartes-it. Për Descartes-in, që shkruante në mesin e shekullit XVII, arsyeja ishte shëmbëlltyra e Zotit brenda nesh, shenja, siç shprehej ai, «përmes së cilës mjeshtri e bën veten të njohur në veprën e duarve të tij». Arsyeja na lejon të sundojmë natyrën dhe, jo më pak e rëndësishme, edhe vetveten, duke shqyrtuar «pa pasion» se çfarë ia vlen të synojmë. Këtu lindi një etikë e re, sipas së cilës frymëzimi për të bërë një jetë të denjë buron nga vetëdija e njeriut për dinjitetin e tij si qenie e arsyeshme.

Descartes-i ishte një katolik i sinqertë, që e shihte filozofinë e tij si plotësisht të pajtueshme me besimin fetar. Për të, mistere të tilla si Trinia e Shenjtë i përkisnin zbulesës hyjnore, ndërsa filozofia e natyrës dhe një pjesë e madhe e metafizikës i përkisnin arsyes. Në etapën pasuese të rrugëtimit tonë, kjo ndarje shembet: dinjiteti njerëzor kërkon që gjithçka, pa përjashtim, t’i nënshtrohet gjykimit të arsyes.

Këtë e gjejmë në mendimin e deistit anglez Matthew Tindal. Për Tindal-in, që shkruante në vitet 1730, arsyeja dhe dinjiteti u shndërruan në sakramente më vete. «Është arsyeja jonë ajo që na bën shëmbëlltyrë të vetë Zotit», shkruante ai; prandaj, t’ia nënshtrosh arsyen tënde zbulesës hyjnore do të thotë «ta shpërfytyrosh këtë shëmbëlltyrë dhe të heqësh dorë nga dinjiteti i natyrës njerëzore». Të nderoje Zotin dhe të respektoje shëmbëlltyrën e tij te çdo qenie njerëzore tani nënkuptonte të hidhje poshtë gjithçka që arsyeja nuk mund ta përligjte, përfshirë mrekullitë, misteret dhe një pjesë të madhe të teologjisë së krishterë. Gjithçka që nevojitej, sipas Tindal-it, ishte «Guxim dhe Ndershmëri».

Për Tindal-in, një prej mendimtarëve më të shquar deistë, ruajtja e dinjitetit tonë kërkon t’i qëndrojmë besnikë arsyes pa bërë asnjë kompromis, sepse ajo është shëmbëlltyra e Zotit brenda nesh. Arsyeja na mëson se nuk ekziston asnjë bazë e besueshme dhe asnjë provë konkrete për pohime teologjike si lindja e Jezusit nga Virgjëresha, Mëkati Fillestar apo mrekullitë e Jezusit. Zoti nuk do të dëshironte që ne t’u besonim verbërisht fantazive të tilla; përkundrazi, ai na udhëzon t’ia nënshtrojmë ato provës së arsyes dhe t’i hedhim poshtë. Deizmi, në një masë të madhe, është ajo që mbetet pasi e kemi bërë këtë.

Natyrisht, për Tindal-in, ashtu si për Voltaire-n, vetë ekzistenca e Zotit ishte e padiskutueshme. Përndryshe, si mund ta shpjegonim aftësinë tonë për të menduar, për të arsyetuar, për të njohur? Vetëm mishi dhe gjaku, siç mund ta shohim në mbretërinë e kafshëve, prodhojnë veçse krijesa të pagdhendura e të udhëhequra nga instinkti. Vetëm njerëzimi, të cilin Zoti e krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij, zotëron aftësinë për të menduar. Pikërisht për këtë arsye, sipas tyre, ne duhet të këmbëngulim të mendojmë dhe të hedhim poshtë gjithçka që bie ndesh me arsyen. Arsyeja na lartëson dhe mbron dinjitetin e njeriut.

Etapa e tretë e këtij rrugëtimi intelektual vjen shumë shpejt. Në vitin 1770, baroni d’Holbach mori shpatën e Tindal-it dhe e përdori për të goditur vetë Tindal-in. Në veprën e tij Sistemi i natyrës (të botuar, për t’u treguar i kujdesshëm, nën emrin e një njeriu të vdekur), ai pyeste se përse spastrimi i kryer në emër të arsyes duhej të ndalej te mrekullitë dhe virgjëreshat e shenjta. Deistët, shkruante ai, «të kënaqur që kishin shkelur me këmbë paragjykimet më trashanike të njerëzve të pashkolluar», «nuk kishin guxuar të ktheheshin te burimi». Atyre u mungonte guximi për të mohuar paragjykimin më të madh nga të gjithë: Zotin.

Nëse dinjiteti im varet nga hedhja poshtë e të gjitha besimeve, atëherë besimi te Zoti është një fyerje për të. Nëse vlera ime qëndron tek aftësia për të sunduar vetveten, atëherë një sundimtar i gjithëfuqishëm është i papranueshëm.

Për ta thyer këtë magjepsje nevojitet «guxim i madh», por kjo duhet bërë për t’i qëndruar besnik arsyes plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje. Në të vërtetë, pohon d’Holbach, nuk ekziston asnjë bazë e vlefshme për të besuar në ekzistencën e Zotit. Njeriu është një makinë; Zoti është një shpikje. Ta pranosh këtë është një imperativ moral. Vetëm ai që është i gatshëm ta përqafojë këtë përfundim të arsyes, pohon d’Holbach, «respekton vetveten» dhe «ndien dinjitetin e vet».

Ajo që i dha mundësi d’Holbach-ut ta përfytyronte njerëzimin si një tërësi makinash të zgjuara ishte konceptimi i ri njutonian i universit, që e paraqiste materien si një tërësi të vetme e të njëtrajtshme trupash, të cilët lëvizin sipas rregullsive të kuptueshme dhe u nënshtrohen ligjeve të pandryshueshme, të shprehshme matematikisht. Për t’i shpjeguar këto lëvizje nuk nevojiteshin as shpirtra, as vullnete, dhe nuk kishte asnjë arsye për të supozuar se edhe njerëzit nuk mund të ishin mekanizma të ndërlikuar që funksiononin vetvetiu.

Kjo e shpjegonte aftësinë tonë për të menduar. Por d’Holbach-u ishte ndikuar edhe nga një tjetër prirje e zhvillimit kulturor, e cila i zhvendosi burimet e moralit njerëzor nga Zoti, shkrimet e shenjta dhe tradita drejt botës sonë të brendshme. Siç e shpjegon mjeshtërisht filozofi kanadez Charles Taylor, nga fundi i shekullit XVIII ishin shfaqur dy burime të reja të moralit, personale dhe të brendshme. I pari ishte arsyeja, tashmë e shkëputur nga Zoti dhe e mishëruar te subjekti racional autonom, bartës i një ligji të brendshëm (mendoni për Kant-in). I dyti ishte natyra, ose më saktë kontakti ynë i brendshëm me thelbin tonë natyror, të cilin mendimi romantik e shenjtëroi dhe që mund të shfaqej në trajtën e ndërgjegjes, intuitës, emocioneve dhe autenticitetit (mendoni për Rousseau-n).

Morali tani mund të buronte nga brendësia jonë. Aftësia jonë për të qenë qenie morale nuk varej më nga bindja ndaj Zotit apo ndaj përfaqësuesve të tij në tokë. Ajo mund të realizohej duke iu përmbajtur burimeve të moralit që ndodheshin brenda nesh: duke ndjekur udhëzimet e arsyes ose duke i qëndruar besnikë ndërgjegjes, ndjenjave apo intuitës sonë. Madje, siç do të këmbëngulte Kant-i, morali varej pikërisht nga kjo. Morali kërkon pavarësi, vetëqeverisje dhe vullnet të lirë. Të veprosh thjesht nga bindja, qoftë edhe nga bindja ndaj qiellit, nuk do të thotë të veprosh moralisht.

E gjithë kjo shoqërohet me një theksim gjithnjë e më të madh të autonomisë. Shfaqen individët modernë dhe ata — pra ne — e shenjtërojnë aftësinë për të bërë atë që dëshirojnë. Vetë liria ndryshon kuptim dhe shndërrohet në atë që Isaiah Berlin e quan «liri negative», kushti i vetëm i së cilës është mungesa e pengesave të jashtme ndaj vullnetit të individit. Rendi liberal fillon të marrë formë mbi këto premisa dhe ato nisin të zbatohen në realitetin politik. Vetëm gjashtë vjet pas botimit të veprës së d’Holbach-ut, Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shpall të drejtën e patjetërsueshme të të gjithë njerëzve për liri.

Prej këtej, rruga drejt shekullarizimit, madje edhe drejt ateizmit, është e shkurtër. Nëse dinjiteti im varet nga hedhja poshtë e të gjitha besimeve, atëherë besimi te Zoti është një fyerje për të. Nëse vlera ime qëndron tek aftësia për të qeverisur vetveten, atëherë një sundimtar i gjithëfuqishëm është i papranueshëm. Nëse veprimi moral duhet të jetë i çliruar nga shpërblimi dhe kërcënimi, atëherë parajsa dhe ferri nuk janë gjë tjetër veçse ryshfet dhe shantazh. Locke kishte refuzuar t’i toleronte ateistët, sepse «heqja e Zotit… i shpërbën të gjitha». Brenda një shekulli nga vdekja e tij, ishte prania e Zotit ajo që kërcënonte të shpërbënte gjithçka.

«Për sa kohë që do të kemi një zotëri në qiell», deklaronte Mikhail Bakunin në vitin 1871, «në tokë do të mbetemi skllevër». Zoti, që dikur kishte qenë kushti i ekzistencës së arsyes dhe moralit, tani shndërrohet në pengesën e tyre kryesore. Madhështia e njerëzimit, liria dhe dinjiteti i tij varen nga autonomia e tij. Ky është eksodi i subjektit modern nga skllavëria e Egjiptit, me Zotin të vendosur në rolin e faraonit.

Shëmbëlltyra e Zotit u përbrendësua dhe, pas saj, u përbrendësua edhe vetë Zoti, si burim i autoritetit moral. Pasi ndodhi kjo, nuk mbeti më vend për Zotin jashtë nesh. Bota nuk mund të ndahet ndërmjet dy zotave: e tillë është natyra e monoteizmit. Besnikëria ndaj zërit tënd të brendshëm kërkon të hedhësh poshtë çdo zë të jashtëm: e tillë është natyra e shekullarizmit.

Nietzsche, i cili kishte nuhatjen më të mprehtë për gjenealogjitë, e kuptoi se nga buronte e gjithë kjo. Ajo që e mposhti Zotin e krishterë, shkruante ai te Shkenca e hareshme (1887), ishte:

Vetë morali i krishterë, koncepti i vërtetësisë, i kuptuar me një rreptësi gjithnjë e më të madhe, stërhollimi i ndërgjegjes së krishterë nga ati rrëfyes, i shndërruar dhe i sublimuar në ndërgjegje shkencore, në pastërti intelektuale me çdo kusht… Pikërisht në këtë rreptësi, më shumë se kudo tjetër, ne jemi europianë të mirë dhe trashëgimtarë të vetëkapërcimit më të gjatë e më të guximshëm të Europës.

Praktika e rrëfimit të mëkateve i mësoi perëndimorët të kërkonin brenda vetes edhe shenjën më të vogël të vetëgënjimit. Në fund, duke e çuar deri në skaj këtë vetëshqyrtim, ata e zhdukën edhe besimin.

Këtu qëndron një ironi e ëmbël. Virtytet e ateistit — vërtetësia, guximi, refuzimi i rehatisë, dinjiteti i arsyes — nuk janë virtytet e dikujt që e ka lënë pas traditën. Ato janë virtytet e vetë asaj tradite, të kthyera kundër saj. Shëmbëlltyra e Zotit fillimisht u identifikua me arsyen, pastaj u vendos brenda individit, më pas u shndërrua në selinë e dinjitetit dhe të autoritetit moral; derisa, në fund, zbuloi se nuk mund ta ndante botën me vetë burimin prej të cilit kishte lindur.

Për më tepër, besimtari që mendon se ateisti kërkon thjesht të ketë dorë të lirë për të bërë ç’të dojë, e ka kuptuar gjithçka së prapthi: ateisti është, përkundrazi, një ithtar i rreptë i moralit, një puritan i arsyes. Ndërsa ateisti që mendon se thjesht ndjek provat, i bën lajka vetes në një mënyrë tjetër. Ai po ndjek një thirrje, me disiplinat e veta asketike, me tundimet e veta që duhen kapërcyer, me dogmën e vet të prerë e të padiskutueshme.

Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (1948) pohon se të gjithë njerëzit «janë të pajisur me arsye». Të pajisur nga kush? Teksti nuk e thotë. Hartuesit e deklaratës, duke synuar të krijonin një dokument që mund të nënshkruhej nga të gjitha kombet, e lanë Zotin jashtë saj. Por a nuk është e mrekullueshme që arsyeja — pikërisht ajo që Descartes-i dhe Tindal-i e kishin identifikuar si shëmbëlltyrën e Zotit brenda nesh, pikërisht ajo që d’Holbach-u synoi të lartësonte duke mohuar Zotin — gjendet që në krye të saj?

Një tjetër kapitull i këtij libri është shkruar. Por nuk është i fundit.

Përktheu: A. D.

Foto kryesore: Detaj nga The Ancient of Days setting a Compass to the Earth by William Blake (1794). British Museum.

Scroll to Top