Prelud
Deri para do kohësh, edhe mbasi kisha filluar të shkruaja te “ExLibris”, redaktorin përgjegjës të kësaj gazete të re, Andreas Dushin e kisha dëgjuar si emër, kisha dijeni se është një letrar e gazetar nga Shkodra, por, duke u nisur nga emri i mirë që kishte fituar, si dhe nga mënyra se si i formulonte pyetjet e intervistave që ka botuar viteve të fundit nga një numër figurash të dalluara të letërisë e të shkencave albanologjike, e mendoja se do të ishte bukur më i madh në moshë. Isha, pra, në një “valë”me Visar Zhitin, i cili ka shkruar: “…lexova romanin “Marrja e gjakut” të një studenti që nuk e njoh, Andreas Dushi, e nisa vonë dhe e lexova shpejt, “rridhte”, cilësi kjo, sipas meje, e atyre që dinë të shkruajnë… mirë!”
Kur u njoha me të edhe fizikisht, në ditët e Panairit të Librit 2022, shkëmbyem disa mendime dhe ai më dhuroi romanin e tij “Marrja e gjakut”, kurse unë, i dhurova librin tim më të ri “Kultura e gjuhës sot”(Pegi, 2022), që sapo kishte dalë nga shtypi dhe ishte në stendën e Librit të Akademisë sonë. Sipas zakonit tim, sapo u ndava prej tij, me të arritur në shtëpi, u ula dhe fillova ta lexoja romanin. Ishte një befasi e këndshme. Një djalë aq i ri në moshë, shkruante aq nyjëtueshëm e me mëtime të bukura për art dhe, mbi të gjitha, që gjakonte një mënyrë të shkruari krejt të re e që sapo ka filluar të bulëzojë në letërsinë shqiptare të sotme. E lexova me një frymë, pastaj edhe e rilexova dhe i shkrova në adresën e tij të e-mail-it këto fjalë përgëzuese:
“Andreas, mik i dashtun, i ri në moshë, por i ditur si të ishe burrë i vjetër e mjekërthinjur,
Romanin “Marrja e gjakut “(metafora e parë e një absurdi shqiptar), e lexova dy herë: një herë “diagonal” e me shpejtësi, sa për të ditur çfarë ka në faqet e tij; mbas do ditësh, e lexova më me nge. Ka shumëçka për ta bërë ballin me rrudha… Nuk e dija se surrealizmi paska ardhur edhe në letërsinë tonë dhe, madje,jo vetëm paska ardhur, por edhe ka çelur një udhë gjithsesi jo vetëm të re, por edhe tërheqëse e joshëse. Natyrisht, paraqitja surrealiste e asaj që ti e quan “metafora e parë e një absurdi shqiptar, si çdo gjë e re, qoftë edhe si pemët ekzotike a gjellët që i shijojmë për herë të parë, të cilat na tërheqin me format apo erëzat e panjohura, por joshëse, ani pse me shijen e tyre mezi mësohemi. A nuk po ndodh kështu edhe me sushin, që rinia po e pëlqen aq shumë, por masa e gjerë e mësuar me hajet e shijet tona tradicionale e tëhuajëson, i bën buzë… Por, unë mendoj se duhet (dhe do) të mësohemi. Shumëçka, pikërisht pse është në një bosht trajtimi surrealist, në faqet e para më dukej sikur më tëhuajësonte. Duhej të mësohesha me atë onomastikë të re letrare, me emrat e vendeve, që të gjithë të sajuar e me togfjalësha disi gërvishtës si Fusha e Lotëve, Kodra e së Qeshurës, Mali me Tym, Fusha e Shën Mërive, Kodra e Dreqit etj. Apo edhe emrat e personazheve, gati të gjithë, përpos Lulashit, të një brumi të ndryshëm nga tradita e mëhershme dhe e derisiotmja, jo vetëm nga nofka Hore e njërës prej figruave me peshë në rrëfim, po edhe e të tjerëve. Por, ndërkaq, kujtesa më thoshte se të tillët nuk kanë munguar as në onomastikën tonë të hershme. A nuk i kam përmendur edhe unë në librin “Onomastikë dhe etnolinguistikë” (2001,f.91) e në shkrime të tjera të asaj lëmije, toponimet mitologjike, që përmbajnë fjalët orë, zanë, dragua, shtrigë, lugat, kuçedër, Rratht e Qoftëlargut, Rapi i Shenjtë etj. Edhe Lëndina e Lotëve është një toponim në anët e Korçës.
Më vunë në mendim sidomos fjalët e krijuara prej teje, si dukuri që (së paku kështu më duket mua) jo aq për nevojë sesa në mbështetje të frymës surrealiste. Natyrisht, ato fjalë, kur i lexon për herë të parë, të duken si gurët bobërdhakë në xhadetë e kohëve para se të bëhej asfaltimi me bitum. Dhe, së mbrami, por jo për nga vlera, pjesa pseudogojore (këngët e vajtimet) që sillet në roman në formën e vargjeve rapsodike apo elegjiake që, sigurisht, është sa interesante në vetvete, aq edhe treguese e një gjenie krijuese që është ushqyer thellë e ngultas me eposin legjendar e baladat e hershme të malësive, saqë të vënë në mendime.
Të lumtë, pra, Andreas! Shkrimtari që thotë gjithçka e nuk të vë në mendime, mund të quhet shkrues, letërnxirës a kushedi çfarë, por jo shkrimtar. Unë shoh te ky libër një shteg të hapur drejt një shkrimtarie frymëgjatë e të re. Po, krejt të re dhe që të vë në mendime.
Dhe, së mbrami, sipas stilit të romanit tënd: Mos më pyet a kam edhe ndonjë vërejtje.
Po, kam, por janë vërtetë pyetje e mëdyshje për gjëra të vogla, të ndonjë shmangie a shkarje e lehtë jonormative, pra, gjithësesi vogëlima e të atilla që nuk mund ta them me gojën plot nëse duheshin ashtu apo ndryshe. Edhe kjo është tregues i një forme e brumi të ri, në mos tjetër, krejt të ndryshëm nga sa jemi mësuar të lexojmë deri sot. Paç pëlqimin e lexuesve dhe jetë të gjatë si shkrimtar e si djalë Shkodret.
Miqësisht e me urimet më të mira,
Gjovalini.
Tiranë, 12 dhjetor 2022”
Në javët e muajt vijues, për romanin “Marrja e gjakut” dhe për fillesat bukur premtuese të shkrimtarisë së Andreas Dushit, do të lexoja edhe vlerësime të poetëve e shkrimtarëve të njohur si Visar Zhiti, akademik Ali Aliu, një emër i madh i historisë së letërsisë shqiptare e i mendimit kritik bashkëkohor, apo të shkrimtarëve Mira Meksi, Ridvan Dibra dhe të prof. dr. Alfred Çapalikut, nga Universiteti i Shkodrës,i cili, gjithashtu, dallohet për zotësinë e tij për vlerësime të nyjëtuara e të argumentuara. Ndërkaq, tashmë dija dhe aq gjëra sa duhen për një emër autori.
Ka lindur në Shkodër më 10 shtator 1999. Arsimin fillor dhe atë të mesëm e mori pranë shkollave katolike të qytetit, ndërsa atë universitar për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studimet pasuniversitare i vijoi në Universitetin e Tiranës për Letërsi shqipe dhe Antropologji kulturore. Romani i tij i parË është “Marrja e gjakut” (2018), i cili u nominua nga Ministria e Kulturës si një ndër tre romanet më të mira të vitit. Është redaktor përgjegjës i gazetës letrare “ExLibris” si dhe punon në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Këto ditë lexova dhe romanin tjetër “Në besë të tatuazhit tënd” (Onufri, 2022), që ka fituar çmimin letrar “Atë Zef Pllumi”. E lexova romanin me ëndje, me kalem në dorë, duke nënvizuar edhe ndonjë fjalë a shprehje që tregon veçanti të stilit e të punës së tij me gjuhën. Mund të thuhet pa drojë se Andreas Dushi, pavarësisht nga mosha e tij aq e re, është tashmë një emër i mirëpritur në letrat shqipe, di të shkruajë dhe e zotëron më së miri leksematikën e shqipes së sotme, ka njohje të gjerë të traditës shkrimore pararendëse, po edhe të ligjërimeve të folura të sotme të mjediseve qytetare e të metropolit. Autori, jo vetëm e njeh, po edhe di të përzgjedhë “majen” e togfjalëshave e të frazeologjizmave prej gurrave të ndryshme të ligjërimeve të sotme qytetare.
Kur lexon faqet e romanit dhe gjen aty një aftësi e hijeshi të shkruari e një stil elegant, të vijnë në mendje notarët e zhdërvjellët që kridhen në ujërat e thella e të mahnisin me shkathtësinë e tyre. Ja, po sjell një faqe nga romani. Besoj se do të bindeni për sa po theksoj.
“Gjatë gjithë javës e mendoi, rimendoi, shikoi e rishikoi porsi vegim atë natë, plot shpresë se sërish, në të ardhmen që ëndërronte të mos ishte e largët, do të përsëritej. Pas shtatë ditëve të kaluara si përjetime të thata e të zbarzëta, erdhi një e martë tjetër, jo si ajo e ëndërruara prej tij. Po, pjesa e parë ashtu shkoi: pinë, folën, pastaj u nis ta përcillte e para shtëpisë së saj, ta përqafonte. Nuk imagjinonte dot më shumë. Asnjë pikëz loti e rënë nga mendja e tij nuk e mbyllte brenda vetes atë çfarë ndodhi. Ajo, pas hezitimeve e mëdyshjeve të pafundme, iu afrua dhe e puthi. Po, në buzë. I tromaksur, i frikësuar, dyshues, ai u zmbraps, një hap, për t’u afruar dy të tjerë drejt saj, që ta puthte, fort, pa pushim. Dhjetëra herë, deri në shtëpi. Në çdo rrugicë. Nën çdo ballkon. Pranë çdo peme. Mbi çdo gjethe. Aq i dehur sa ishte, pa një qiell të mbyllur brenda syrit të saj, qiell më i madh, më i gjerë, me më shumë yje se ai që po u rrinte mbi kokë, qiell që tregonte se aty mund të fluturonte dhe të eksploronte vende të tjera, të panjohura, krejt i zhveshur nga gjithçka përbënte realitetin e atij çasti apo çdo çasti tjetër të kaluar deri atëherë prej tij.” (f.27)
Mendoj se te romani “Në besë të tatuazhit tënd” shihet qartë se autori e ka si në pëllëmbë të dorës ligjërimin e sotëm të shtresës rinore qytetare dhe e sjell atë duke pasur edhe një ide mjaft të qartë e bashkëkohore për rrjedhat e zhvillimeve të sotme sociolinguistike të bashkësisë shoqërore shqiptare. Ai “noton” në hapësirat e zhargonit rinor të mjediseve qytetare e të zonave anësore a periferike, sjell si pa të keq edhe elemente të atij lloj zhargoni a ligjërimi ku pluskojnë natyrshëm edhe mënyra të thëni e sharje me fjalë të pista, duke mos i kursyer as foljet që emërtojnë veprime të seksit apo të lojërave erotike etj., sikundër pasqyron me natyrshmëri këngët në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht që aq shpesh e natyrshëm këndohen nga të rinjtë; pasqyron me përmasat e duhura e me stil ndikues dhe disa elemente të terminologjisë së fushave të ndryshme jetësore ku kanë depërtuar aq thellë fjalët e huaja. Dhe, natyshëm, mendja na shkon te pohimi me vlerë sociolinguistike se sot shoqëria shqiptare është në gjendje dygjuhësie. Pra, Andreas Dushi, në këtë roman duke e vijuar lojën surreale të rrëfimit, që e kishte nisur qysh te “Marrja e gjakut”, na jep një pamje tjetër të prozës së sotme letrare; një roman pa asnjë emër personazhi. Vetëm tek-tuk na shfaqet ndonjë emër i rrallë topik (emërvend) si Kuçi, ndonjë emër kishe dhe Qendra Tregtare, si dhe, nga antroponimet, diku nga fundi, a thua se po bën shaka, përmend me emër edhe një Andreas.(f.188)
Me një zotësi të mahnitshme e që, sikundër u kuptua, shkon shumë përtej një përvoje jetësore ende të një djali në moshë kaq të re, ai gjurmon dhe merr elementet e gjetura në mjedise të ndryshme, po edhe i gërsheton me rrëfime e përvoja vetjake, ndonjëherë edhe me ndonjë vrujim autobiografik, por gjithandej edhe duke e lidhur me nëntekste të vlerësueshme e që të vënë në mendim. P.sh.,diku përmend se ka një të afërm që ka qenë prift dhe është pushkatuar nga regjimi komunist. Lexuesi pyet vetën: mos vallë e ka fjalën për Dom Mark Dushin (1920-19680), klerikun e ditur, autor, ndër të tjera, i monografisë “Tirana dhe rrethinat e saj”, të botuar më 2005 nga Dom Nikë Ukgjini.
Së mbrami, por pa ia lejuar vetes të marr përsipër të shprehem për atë që nuk më takon (dhënien e një vlerësimi mirëfilli ideosetetik e artistik të romanit ) mund të them pa drojë se Andreas Dushi është në udhë të mbarë, e do shumë dhe e di mirë gjuhën shqipe, ka rrokur me zell e me aftësi të jashtëzakonshme edhe “nyjat” e të shkruarit me shprehësi e stil të hijshëm e me vetjakësi, prandaj edhe i shkon mjaft mirë vlerësimi që ka shprehur për të poeti e shkrimtari Visar Zhiti, i cili, ndër të tjera, vlerëson: “Unë besoj se për letërsinë ka më rëndësi sesi (e) shkruan, më shumë sesa ajo për të cilën shkruan, të paktën në çastin e leximit, dhe letërsia jeton kur e lexon dhe lexuesi pa mëshirë të është bërë bashkautor, që ta lehtëson bashkudhëtimin dhe po aq ta vështirëson.Në fund të fundit, kuptova se studenti Andreas Dushi ka zell për të shkruar, ambicie dhe të shkruarit s’ta mëson kush e nuk ta heq dot askush këtë dëshirë demiurgu. Unë besoj se për letërsinë ka më rëndësi sesi (e) shkruan, më shumë sesa ajo për të cilën shkruan, të paktën në çastin e leximit, dhe letërsia jeton kur e lexon dhe lexuesi pa mëshirë të është bërë bashkautor, që ta lehtëson bashkudhëtimin dhe po aq ta vështirëson.Në fund të fundit, kuptova se studenti Andreas Dushi ka zell për të shkruar, ambicie dhe të shkruarit s’ta mëson kush e nuk ta heq dot askush këtë dëshirë demiurgu.”
Për mua si gjuhëtar dhe, sidomos si sociolinguist, Andreas Dushi, me këto dy romane (“Marrja e gjakut” dhe “Në besë të tatuazhit tënd”), të shkruar në një moshë ende aq të re, duhet të gëzohet e të shendohet nga pëlqimi i lexuesve dhe nga vlerësimi meritor i kritikës dhe i një yjësie shkrimtarësh të mirënjohur.
Me dashamirësi i uroj ta gëzojë çmimin “Atë Zef Pllumi”, por, ndërkaq, do të mendoja se është e udhës t’i kujtojmë urtaken e shprehur nga poeti i lashtësisë, Pindari, i cili ka një varg të bukur mësimdhënës për jetën e secilit njëri apo krijues: “Ndër gëzime u gëzo, por jo tepër…”. Me dashamirësinë që meriton si djalë Shkodret, me shpirtin e tij të bardhë e diellor, duke e vlerësuar se mbas kësaj fillese kaq dorëmbarë si prozator, do t’i duhet edhe një thellim në formimin e tij teorik e mirëfilli artistik, nartysihet edhe me punën e madhe që e pret si gjurmues i temave dhe prurjeve të reja në shkrimtarinë e tij, do të uroja që, Ministria e Kulturës dhe instancat më të epërme drejtuese të arsimit e të kulturës shqiptare, të marrin përsipër edhe një specializim a shkëmbim përvoje afatgjatë në ndonjë nga institutet më të mira të shkrimtarisë, ashtu si ka qenë edhe në traditën e shkrimtarëve të talentuar pararendës, që janë dërguar dikur në Institutin “Gorki”, apo sikundër veprohet në Itali për përkthyesit duke u ofruar qëndrim e kushte të mira pune në Proçida etj.
Dijetari e shkrimtari i shquar italian Piero Angela, në librin e tij “Da zero a tre anni”, ka një ide të madhe për rëndësinë që ka formimi ditunor e kulturor i njeriut, të cilin ai e krahason me “formatimin e kompjuterit”. Edhe kopmpjuteri më i mirë, më modern, ka nevojë të formatohet. Edhe shkrimtari, sado i talentuar të ketë lindur, ka nevojë për shkollim, për specilizim e për shkëmbim përvoje me kolegë e krijues të vendit të vet, po edhe të vendeve të tjera. Në mënyrë të veçantë vlen kjo në rastin e talenteve nga mjedisi ynë shqiptar.
Përgëzime dhe suksese të mëtejshme, i dashur Andreas. Frymëzim e rreshta të mbarë, shëndet e jetë të gjatë dhe krijmtari frymëgjatë ashtu si e ke nisur.
Tiranë, 15 mars 2023