Ali Aliu: E besueshmja – e pabesueshmja

1

Gjatë panairit të librit në Prishtinë, – Qershor 2022, në kallaballëkun mes stendave, një çun i ri, i gjatë dhe simpatik, duke më përshëndetur ngrohtësisht, më lëshoi në dorë një libër; ngrita kokën, po qeshte lirshëm; mu kujtua që e kisha pare në panairin e shkuar, – Tiranë 2021, gjatë prezantimit të një poete në stendën e botuesit Onufri; ishte autori i romanit “Marrja e Gjakut”, Andreas Dushi; lindur më 1999 në Shkodër; romani në fjalë botuar në vitin 2018, botuar nga Onufri 2018; gjesti, rrethanat, më tërhoqën vëmendjen dhe unë e lexova romanin “Marrja e gjakut”.

2

Fabula e romanit, nisur edhe nga titulli, është kanunor, por sjellë nga një perspektivë rrëfimi, e “padëgjuar” në letërsinë shqipe, – të paktën për mua: “Kur në shtëpinë e Vocit  vetëvrare, shfaqet Vilzani, vëllai i tij, një debat lind mes tij dhe djemve të të ndjerit. Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë, dhe prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin  familjarët e vrasësit dhe në ata të  vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët”. (Citat nga romani)

Voci, personazhi kryesor, pa u lënë asnjë shenjë dëshmie familjarëve të vet – gruas Leticia dhe katër, djemve, -Leka, Lulashi, Leci dhe Laloshi, për arsyet e vetëvarjes; si u vetëgjetën ata, katër djemtë, në raport me të atin, si të të përkëdhelurit e tij apo si plangprishës, nuk ishte vështirë; kështu, të parët, sipas këtij kanuni, do kërkojnë gjakun e të atit nga të dytët….

Ky është skeleti i fabulës që, besoj se e nxit kureshtjen por edhe kërkesën e lexuesit në përballje me të besueshmen dhe të pabesueshmen në art, shtruar që nga Aristoteli, i cili e nxjerr poezinë më të besueshme se historinë; tek romani “Marrja e gjakut”, faqen e pabesueshme autori i ri arrin ta shpëtojë, duke i vendosur në sfond vëllezërit biblike,- Abel, Kain…

3

Por ana më e rëndësishme e romanit ka të bëjë me poetikën narrative. Rrëfimin romanor me këtë rast e bartin dy shtylla: zëri i narratorit dhe zëri i rapsodit; secili në funksion drejt mbështetjes së njëri-tjetrit, ta bëjnë të besueshme fabulën e pabesueshme; zëri i parë, i narratorit, i vetëdijshëm për vështirësitë, orë e çast thërret në ndihmë edhe praninë e vëmendjes së lexuesit, i cili, pohon në heshtje, duke “tundur kokën”; në këtë poeticë narrative, autori inkuadron mori detajesh, prita, dykuptimësi, duke filluar që nga titulli i romanit, – marrja e gjakut, – marr gjak, marre,- po hanin së bashku marren me bukë (f.123) ;prani e largët e incestit, shprishje gjaku hapësirave greko-italiane, etj; ngarkesa të shumta këto që e rëndojnë kthjelltësinë e rrjedhës romanore; ngjashëm edhe me pleksjen dhe shpleksjen mes tyre, personazheve, mbase qëllimisht e mjegulluar.

Le të kthehem edhe njëherë tek e besueshmja dhe e pabesueshmja në art, që është vijë e kuqe, e kalon s’e kalon; thamë që nuk është vendimtar fakti se diç ka ndodhur apo jo në jetë, në histori, por nëse ndodh apo nuk ndodh ashtu në jetë; i besojmë apo jo rrëfimit të autorit në romanin “Marrja e gjakut”? Ndodh apo nuk ndodh në jetë ngjarja që sjell romani? Po të thoshim edhe mund të ndodhë, do ta kthenim bëmën në rastësi, në një përjashtim ligji, gjë të cilën e mirëkupton historia por jo poezia; ajo që e shpëton nga refuzimi besueshmërinë në këtë rast, është sfondi biblik që përmenda në fillim; tek romani “Marrja e gjakut”, nisma drejt shtegut kanunor, që në fillim, në ecje e sipër, natyrshëm, dhe me shkathtësi ia hap rrugën atij biblik.

Autori i ri Andreas Dushi është i talentuar; ritmi, ngjyrimi i rrëfimit të tij arrin ta mbajë vëmendjen e lexuesit; imagjinata e tij e bujshme, e tejdukshme krijon atmosferë në harmoni me përbërësit e tjerë të diskursit; gjuhë plot gjallëri kolorit, dhe, formim kulturor, letrar, që, së bashku e bëjnë fare periferik ndonjë manirë rinore për t’u dëgjuar me çdo kusht.

Scroll to Top