Për dashurinë dhe demonë të tjerë
Gjithnjë është thënë se për të kuptuar dashurinë, duhen kuptuar e më pas lexuar shkrimtarët të cilët, me përkufizimet që i japin asaj, herë pas here ja kanë dalë të krijojnë ide të reja mbi të. Një kategori njerëzish e quajtur romantikë, ndonëse tani kuptimi i kësaj fjalë ka ndryshuar, qysh në shekullin XII kërkonin dashuri si ajo që lexonin ndër libra e për këtë, zhgënjeheshin thuajse çdo herë. Një rast i tillë është ai i Ema Bovarisë, personazhit kryesor të kryeveprës së Fubertit.
Një ndër shkrimtarët i cili shkruan më bukur për dashurinë, pa e bërë shkrimin e tij monoton, është nobelisti kolumbian Gabriele Garcia Marquez. Me kryeveprën e tij “Dashuri në kohërat e kolerës”, disa prej tregimeve te “12 tregime pelegrine” dhe veprave të tjera me këtë temë, ai ja ka dalë të kthejë personazhet e tij në simbole të dashurisë absolute dhe dhurimit me kushtin e vetëm, pranimin e lumturisë që dashuria sjell.
Libri i fundit që ka ardhur në shqip nga ai titullohet “Për dashurinë dhe demonë të tjerë”. Në të, dashuria trajtohet në mënyrën më të parealizushme të saj, pasi janë faktorë të jashtëm e të brendshëm që nuk e lejojnë.
Në krejt pak fjalë, fabula përmblidhet në një vajzë e cila dyshohet për tërbim, akuzohet për djallosje dhe bie pre e ekzorcizmit, pa pasur aspak nevojë për të. Me rastin e saj duhet të merret një prift i ri i cili kupton që në krye të herës se vajza nuk ka asgjë për çfarë dyshohet e akuzohet, e prandaj nuk duhet munduar më tepër, por duhet lënë e lirë.
Nisur nga mohimi kategorik i kësaj çfarë ai thoshte dhe nga vuajtjet e vajzës në qelitë e një kuvendi murgeshash në klauzurë, një dashuri e brishtë lind e rritet, pa ja dalë asnjëherë të japë fryte lumturie por vetëm kënaqësi të paçelura puthjesh.
Me mbyllje tragjike, ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë prej Marquezit për dashurinë, romani tregon se si ka raste kur dashuria edhe pse konkretisht nuk ja del, në shpirtin e njeriut ngjall emocione shumë më të këndshëm nga sa trupi synon e kërkon.
12 dhjetor, 2018