Vështrim mbi romanin “Në besë të tatuazhit tënd” të Andreas Dushit
Gjithmonë edhe si përkthyes, edhe si autor kam qenë shumë i lidhur me titullin e veprës. Është ajo pjesa e saj që të tërheq ose të refuzon në takimin e parë me librin. Është ajo për të cilën, sipas meje, autori mendon më së shumti për ta përmbledhur tërë idenë e veprës në disa fjalë. Shpesh vet titulli të lidh me veprën. Të shtie të mendosh, ndoshta edhe të krijosh vizionin e parë për të. Edhe pa e lexuar! Titulli mund të jetë edhe vegim i çastit që të prek në palcë. Apro po kësaj, dua të ndaj me ju rastin se si erdha deri te titulli i përmbledhjes sime me poezi “Sub rosa dictum”. Vetë ajo që e lidh këtë sentencë latine me faktin se romakët e vjetër kur donin t’i tregonin dikujt diçka “në besë” e çonin në kopsht, ndërmjet luleve, mjaftoi që edhe unë poezinë time ta titulloj ashtu, e që do të mund të përkthehej si “E thënë ndërmjet luleve” (apo, e thënë në besë).
E njëjta më ndodhi me titullin e romanit të Andreas Dushit “Në besë të tatuazhit tim”. Besë dhe tatuazh, dy realitete që në moment nuk mund të lidheshin, ngase njëra (besa), për çastin e parë të takimit me titullin, përshkruante një “realitet” të dikurshëm, tashmë gati të bërë atavizëm, ndërsa tjetri “tatuazhi” disi më lidhej me një reflektim të “modernitetit” shoqëror edhe ndër ne.
Edhe sot e gjithë ditën ndër malësorët e mi qëndron bindja (besëtytnia!) se nëse e sheh gjarprin pranë shtëpisë, mos e vrit, por lidh besë me të (sepse ai është roja e shtëpisë!). Është gojëdhënë me të cilën edhe ia fillon romani, por që mua më futi në lexim edhe më thellë, me një “premtim të autorit” se ia vlen të “humbet kohë” me romanin të tij. Bindja tjetër, e thyer, që fiton lexuesi gjatë bashkëjetesës me këtë tekst janë pyetje të shumta që lindin, se “romani duhet të ketë” ngjarjen (t), personazhet (me emra) që, edhe pse shpesh të trilluar lidhen diku me ngjarje e personazhe reale!
Po ky?
Roman pa ngjarje, pa personazhe (së paku jo ashtu si jemi mësuar në letërsinë tonë!), roman lumë, që rrjedhën e vet nuk e merr nga përroskat që derdhen në të , por nga një ekskurs në thellësinë e brendësisë së vetvetes, roman që fut në shtjellën e “së kaluarës” së autorit/rrëfyesit/ narratorit, që gjithnjë flet me vetveten dhe vazhdimisht në vetën e parë – qoftë UNË, apo TI. Veta e tretë i dedikohet babës, personazhit tjetër në romanin pa personazhe.
Ai Unë dhe ai Ti që shpeshherë bëhen një personazh i vetëm, që plotësojnë pakuptimësinë e jetës, duke lëvizur nëpër tehun e mprehtë të thikës, të ngarkuar gjithmonë me një mendim suicidal, që askurrë nuk realizohet, jo pse nuk ndihet nevoja e madhe për të, por për arsye se mungon guximi.
Duke u thelluar gjithnjë e më shumë në vetveten, te lexuesi krijohet bindja se kemi të bëjmë me një rrëfim “autobiografik”, të një biografie, që nuk është më shumë e autorit se e të gjithë atyre që përjetuan tmerrin komunist, por që “njollos” secilin prej atyre që kishin dike të njollosur (e kush nuk kishte të tillë!). Njollosje nga njëmendësia e sistemit, e aty ku sundon njëmendësi, në të vërtetë aty askush nuk mendon!, por bëhen “grigjë” për realizimin e mendimeve, ideve të larta… Edhe në atë konstelacion shoqëror dëshira për të qenë të ndryshëm është më se prezent. Por, si të jesh i ndryshëm në një vend, ku edhe mobilet e banesave janë të njëjta. E njëjtë tryeza, komodina, karriget…
Vendi ka përjetuar ndryshime. Koha dhe bindjet gjithashtu, por jo edhe të qenit i burgosur në thellësinë brenda vetes. Është burgu më i rëndë që mund të paramendohet. Madje edhe në rrugëtimin për në vendin më të pakuptimtë, më banal të shoqërisë së konsumit, në qendrën tregtare ”që është si mortja, që vetëm merr e nuk jep”), nuk është çlirim nga vetvetja, ndonëse njihet si “obligim” i përditshmërisë! Se liria bëhet e pamundshme për ta jetuar atë pa praninë e zogut, apo ndoshta pikërisht për fajin e tij, që me sqepin e vet në veshin e autorin, abuzon me të, siç abuzuan me paraardhësit e tij, për të cilët vetëm kishte dëgjuar. Zogu bëhet gati personazh i pakapërcyeshëm i romanit, që ia drejton mendimet a sjelljet Unit. Bëhet zë i brendshëm i tij!
Zëri i brendshëm jo vetëm se e përcjell krejt kohën, por edhe udhëheq rrëfimin. Shpesh jep simptomat e skizofrenisë, të një stadiumi të avancuar, që jepen në mënyrë gati natyraliste e të përjetuar thellë, sa që si lexues fillon të ndiesh keqardhje për autorin/narratorin/personazhin e romanit . Ai zë të çon në shpellë me korridore të shumta e labirinte të fshehura që me shtjellën e vet të përthithin brenda vetes e s’të lënë të dalësh. Të bën pjesë të asaj shpelle, sikur ajo të mos ishte krijuar nga kujtimet (apo imagjinata) e autorit /narratorit, por nga kujtimet tua të fshehura shumë thellë. Të bën të bashkëvuajsh me autorin, me idenë e përhershme të tij për vetëvrasjen.
Dhe kjo keqardhje do të ishte shumë më e thellë, sikur autori, me intertekstet e veta, qëllimisht të futura në kursiv, të mos na e “dridhte” mendimin tonë të humbur në thellësinë e romanit, duke dalë nga amullia në “normalitetin” e plotë të vet. Me kapërcime që më shumë i përngjajnë kapërcimeve të një mendimi të trazuar, sesa rrjedhës “normale” të shkrimit të një romani. Dhe pyetje e domosdoshme: Cila është “normalja” në krijimin e letërsisë, posaçërisht romanit.
“Çdo vetmi është e ftohtë.” E vetmia në roman fillon me vrasjen e gjarprit të shtëpisë, që do ta lënë shtëpinë nën mallkimin e shtëpisë pa roje, pa gjarpër pra, dhe kthimi i gjarprit në tatuazh na fut në një mendim se tërë historia jonë është një tranzicion i papërfunduar, në përcaktim se jemi popull me besim hibrid ndërmjet paganizmit dhe krishterimit, ndërmjet besëtytnisë e besimit, frikës (nga e panjohura) e dijes (së kufizuar), popull që ende betohemi “për këtë qiell e për këtë dhé”, që hyjnizojmë “besën e gurit”, popull që jep dhe kërkon besë, të bindur se besa e Zotin nuk është aq e fuqishme dhe nuk e ka sigurinë e duhur dhe rezidencialitetin e dukshëm në mesin tonë.
Dhe, në fund, jo për nga rëndësia, do t’i përmendja dy detaje të personazheve të vetëm në roman që kanë emër: Çamuku dhe Andreasi.
“Shkelja e besës” e Çamukut, kur ai nuk e kishte marrë lëkurën e gjarprit për ta varrosur në Çinarin e madh, siç thoshte tradita, e që për pasojë kishte hakmarrjen e domosdoshme, që populli e kuptonte kur paraqitej në mënyra ndryshme, qoftë me divorcin e gruas, bishtaleci i prerë i të cilës shpërdridhet si gjarpër, qoftë në verën “pa ujë për bagëti”, qoftë me djalin që e ha ujku dhe “ngushëllimin”: “ani moj gra, mos qani, ky ka kenë djali i ujkut!”; dhe, fjalia e Andreasit në anën tjetër: “Ik, merru me gjëra tjera, se letërsia s’është për ty” që e plotëson dyshimin për tranzicionin askurrë të përfunduar të shoqërisë sonë dhe në frikën se, edhe mbi UNI-n e romanit rëndon “mëkati mortor” i të qenit shqiptar dhe do të bëhet si të tjerët.
Romani “Në besë të tatuazhit tënd” është tekst artistik, që s’të lejon të dalësh prej tij deri në shkronjën e fundit. Është si një punim filigrani, ku fijet pak më të trasha (por prapëseprapë të përdredhura) që rrethojnë figura, japin vetëm idenë për to. E ato ide, të mbushura përplot fije shumë më të holla, secila me misionin dhe bukurinë e vet, jo thjeshtë për t’i plotësuar figurat, krijojnë akribinë e suksesshme të autorit (gati që e shkrova ”të ri”, por vetëm në moshë), Andreas Dushit.
P.S. Fakti të cilin e zbulova pasi e kisha formuar bindjen për tekstin, fitimi e çmimit letrar Atë Zef Pllumi, për romanin në fjalë, më bën të ndihem mirë, para së gjithash me veten time!