Mbarova së lexuar “Time Shelter” të Gospodinovit, roman fitues i International Booker Prize dhe, pasi mbylla kapakun e fundëm, nuk ngrihesha dot. S’doja të flisja me njeri për asgjë përveç se për këtë libër e meqë s’po më kujtohej dikush që e ka lexuar, përsiata me vete. Është romani i parë pas leximit të të cilit, mendoj kaq shumë. Distopia realiste mbush hapësirat boshe të dyshimeve nëse ëndrrat tona janë edhe dëshira, apo nevoja për t’u ndjerë të plotësuar.
Të strehohesh në të shkuarën, të kërkosh shpëtim në atë çfarë njeh, e ardhmja të kthehet e shkuar dhe kështu, kur flet për nesër të mos përdorësh kohën e ardhme do të jetë, por në vend të saj, të kryerën ishte. Nesër ishte.
Një lavjerrës i hollë mban në fundin e vet këmbanën e frikës mos absurdi kthehet në normë dhe norma, në një të ardhme që tanimë e ke jetuar dikur si të tashme. Sepse përmbysja e raporteve natyrore të së tashmes që bëhet e shkuar dhe shndërrimi i saj në të tashme që bëhet e ardhme, thurur me njohjen deri në thelb të historisë, prespektivës, tmerreve, dyshimeve, çasteve të lumturisë e gjithçkaje tjetër të gjithë Evropës, dhe duke bërë bashkë këto, krijimi i një qasjeje unike për çdo vend përballë distopisë së këtij shndërrimi, gjithë kjo pra hedh themelet e një ngrehine, një strehe brenda së cilës nuk kthehesh pas, por rri në vend, i mahnitur prej estetikës së veçantë të tekstit që po lexon.
Dhe trishtohesh, në faqen e fundit trishtohesh, jo nga fundi i librit, por nga përfundimi i leximit, pasi tani ndjehesh vetëm, i nxjerrë me shkelma nga ajo strehë, mes mediokritetit e meskinitetit, poshtërsisë dhe vogëlsisë së përditshmërisë së jetës, punës, tetorarisht dhe shtëpisë, ku me sytë nga dritarja, netëve që sa vijnë e afrohen, pret mos do të dalë hëna, t’ja veshësh asaj pak pikëllim. Sepse je prap i lidhur në vargonjtë e së zakonshmes, kthyer tanimë në diçka ordinere, teksa në fakt, dëshiron të jesh i strehuar poshtë kohës së ndaluar të leximit.
Dreqi e mori, pse nuk ka më shumë libra si ky?!