“Shihemi në gusht” e kam ndjekur në çdo etapë, ditë pas dite prej të paktën pesë muajsh. Pyesja Mirën si po shkonte përkthimi, Kadin për redaktimin, Enxhin për botimin dhe veten për përjetimin. Si duhet ta prisja atë libër? Me dyshimin e tradhtisë ndaj amanetit të Marquez-it apo me gëzimin e tradhtisë ndaj vdekjes së tij? Ka raste kur shkrimtarët vdesin shumë para se të humbasin jetën, ditën kur vendosin të mos shkruajnë më. Sikurse ka raste, shumë më të rralla, kur jetojnë edhe pasi vdesin sepse u kanë mbetur dorëshkrime. Doli se ky ishte Marquez-i.
Mosbotimi i librit në gjallje të tij pati qenë dëshira e vetë autorit. Dakord, por pse lindi kjo dëshirë? Analizën e detajuar mbi këtë fakt e bëjnë të bijtë, Gonzalesi me Rodrigon. Ishte mosha e shtyrë dhe demenca që sa vinte e bëhej më e thellë. Por problemi duhet shtruar njëkohshëm me pyetjen: “Si ndikoi kjo?” E bëri Marquez-in të humbiste kthjelltësinë e të shkruarit apo të të gjykuarit? Unë besoja të dytën, sidomos për faktin se nuk e kishte arritur këtë fazë teksa shkruante “Shihemi në gusht”, por gjendej në bregun e oqeanit të demencës ndërkohë që përsiaste rreth botimit të tekstit. Pasi e lexova romanin, u binda se kisha të drejtë. Ai “OK FINAL” i madh në kopertinën e dorëshkrimit të daktilografuar (faksimili i tij gjendet në pasthënien e librit) shkruar nga dora e tij më siguroi se dëshira nuk ishte mosbotimi, por perfeksionimi.
Pasthënia mahnitëse e një redaktori të jashtëzakonshëm me kujdesin thuajse atëror për tekstin dhe besnikërinë murgërore ndaj tij e qartësonte të gjithën, në detaje. Përmbledhtazi: Marquez-i, për shkak të problemeve gjatë pleqërisë, nuk mundi t’i pasqyronte dot korrigjimet në një variant përfundimtar. Kjo qe puna e bërë prej tij, sqaruar aq bukur në shënimin e sipërpërmendur sa vërtetë u ndjeva edhe një herë i mrekulluar nga roli, rëndësia dhe pesha e redaktorit për një shkrimtar dhe veprën e tij.
“Shihemi në gusht” është përjetim i një emocioni të pashtershëm të lirisë, në stilin më të kulluar të Marquez-it. E gjithë vepra përshkohet prej fillit të dëshirës për hapësira të reja shumëpërmasore dhe përmbyllet me ngasjen ndaj tyre si diçka të trashëguar, pjesë e atij shkrimi gjenetik që kalon nga njëri brez te tjetri.
Marrëdhënia është element i dashurisë, por jo vetë Dashuria, ndaj mund të jetohet edhe jashtë saj, pa e cënuar atë. Historitë e Ana Magdalenës fillojnë me dëshirë dhe, sido të shkojnë, nuk mbarojnë me pendesë. Ajo nuk bën asgjë pse do të shkelë kurorën e martesës, por përpiqet të zëvendësojë ndonjë gur të çmuar që ka rënë prej aty.
Të jetë sjellja e saj arsyeja pse, kur kthehet nga ishulli, gjërat në shtëpi nuk po i shkojnë si duhet? I shoqi sikur është ftohur, apo është ftohur ajo ndaj tij? S’di të them. Ajo ama, pasi kupton se vetë po e thyen besimin e të shoqit, fillon të mendojë mos ndoshta të njëjtën gjë e bën dhe ai. Dhe kur merr vesh, pas këmbënguljesh të papushimta, se ai e kishte tradhtuar vite më parë, ndihet shumë e zhgënjyer dhe e harron çka e nxiti këtë dyshim: sjellja e asaj vetë!
Përtej kësaj, lakorja e ndryshimit të historisë së ishullit, industrializimi dhe komercalizimi i tij nga një vend i qetë në një gjullurdi zhurmash me turistë, makina e hotele paraqet më së miri natyrën e një bote e cila po ndryshon shumë shpejt për nga ai kah që domosdoshmërisht e shpie drejt zhbërjes së thelbit të saj dhe zëvendësimit të tij me një copë kauçuku që merr gjithë llojet e mundshme të formave.
Gjuha në këtë roman është e thjeshtë dhe ngjarjeve ndonjëherë u mungojnë tipare të rëndësishme, por thuajse gjithmonë janë detajet krejt lehtësisht të shmangshme: Lexojmë se si vishet Ana, se si ndihet gjatë marrëdhënies me të dashurin e asaj nate, madje edhe kur i prek seksin apo e ndjen atë në trupin e saj. Si mjet, gjuha, krejt e dlirë nga banalitetet, përdoret për të sjellë më së miri emocionin e ndjelljes nga mishi i tjetrit. Ishulli kthehet në skenë fantazish, edhe me njerëz, ose sidomos me njerëz që në pamje të parë ngjajnë sikur nuk kanë asgjë tërheqëse për dikë si Ana Magdalena.
Ka kohë që dua ta shkruaj këtë, sepse romanin e kam lexuar tash më shumë se dy muaj, por nuk mundesha, spoil alert ishin të ndaluara rreptësisht nga agjentët e huaj dhe akoma më rreptësisht më ndaloheshin prej botueses shqiptare. Tani kur gjashtë marsi erdhi dhe mund ta ndaj me të gjithë si e kam jetuar unë leximin e “Shihemi në gusht”, pra tani që libri u botua në gjuhët kryesore të botës, edhe në shqip nga “Onufri”, pres me kërshëri përshtypjet e secilit, edhe si përforcim apo rrëzim i qëndrimit tim e të pjesës më të madhe të botës ndaj çështjes së botimit të këtij libri.
P.S.: Sa bukur të shkruash review-n e parë në shqip për një libër të Marquez-it! 😀
Për të porositur librin, kliko këtu.