Shuarja e Milan Kunderës

Milan Kundera ka shkuar sot pranë Homerit, Dantes dhe Shekspirit. Edhe ai, nga sot gjendet pranë atyre, mes veprës së të cilëve ka zënë vend qysh në fillim edhe letërsia e tij.

Shkrimtari vdes kur nuk rresht së shkruari, ndërsa letërsia e tij, kur bota rresht së lexuari. Pra, me shumë mundësi, kurrë!

Risjell sot, me dhimbje, një shënim të shkruar në datëlindjen time të njëzetedytë, kur si dhuratë mora një kopje të “Ngadalësia” në anglisht (Slowness) me autograf nga vetë autori, që nga mëngjesi, prehet në paqen e ngatërruar të artit hyjnor.

Libri i fundit që më bëri të qaj…

Në “ExLibris”, javë për javë botohen përgjigje nga shkrimtarë shqiptarë mbi një pyetësor të titulluar “Librat e jetës time”. Mes tyre është edhe pyetja “Libri i fundit që më bëri të qaj?”.

Kur lexoj përgjigjet e miqve e kolegëve, shoh se shkruajnë tituj që gjithashtu i kam lexuar, por me asnjërin syresh nuk kam derdhur lot. Të jem njeri pa ndjenja?

***

Për ditëlindjen e XXII, mes atyre pak dhuratave që mora, ishte edhe më e bukura që deri sot kam marrë. Një kopje e botimit I të “Ngadalësia” e Kunderës në anglisht (1996). Më emocionoi, pasi Kundera është i preferuari im ndër romancierë. Dhe mora ta shfletoj, me një drojë mos e dëmtoja, pa e ditur e pa e pritur kurrë, në asnjë rrethanë se në faqen e parë do të ishte Autografi i Tij!

***

Përqafoja librin, me sytë me lot, pa mundur dot të ndalja. I thashë vetes atëherë se nuk qenkam pa ndjenja: “Ngadalësia” është i vetmi libër që më ka bërë të qaj, akoma pa e (ri)lexuar.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top