250 numra “ExLibris”

Andreas Dushi

Numri i parë i gazetës “ExLibris” doli në të njëjtën datë me romanin tim “Marrja e gjakut” në panairin e Tiranës, nëntor 2018. E mbaj mend mirë, pasi kur mora kopjet e para të librit tim, vajza te stenda futi në çantë edhe një kopje të gazetës që e ruaj akoma. Pak javë më vonë, botuesi i “Onufri” Bujar Hudhri, themelues i gazetës dhe kryeredaktor i saj, bëri të mundur që unë, 19 vjeç, të takohesha me Kadarenë. Aty më ftoi të botoja për herë të parë në gazetë, ftesë që më befasoi po aq sa takimi… Gazeta mbante ndër faqe emrat kryesor të letërsisë shqipe… Mund të isha unë aty? S’e mendova gjatë, por pranova, i lumtur me atë soj lumturie që s’besoj të më jetë përsëritur më. Ndaj tani kujtohem se po ashtu, akoma ruaj dhe numrin 11 të gazetës ku u botua shkrimi im i parë, Nga Irena te Madalena, historia e vajzave dhe virgjëreshave të Ridvan Dibrës. Në krye, si shkrim kryesor ishte biseda e kryeredaktores së atëhershme Violeta Murati me poeten Natasha Lako.

Pasi ishin botuar 97 numra, pra 97 javë nga ajo ditë, themeluesi dhe kryeredaktori sërish më bëri një ofertë akoma dhe më të befasishme, më ofroi t’i bashkohesha stafit në pozicionin e redaktorit përgjegjës. E pranova menjëherë, me kënaqësi dhe nga Shkodra, u zhvendosa në Tiranë. Dhe tani që gazeta ka arritur çerekun e mijëshes, s’rri dot pa përmendur disa highlight-e të saj që përputhen kryekëput edhe me highlight-e të jetës sime profesionale në këtë detyrë.

Në nëntor të 2020, vite pas intervistës së tij të fundit, Ervin Hatibi pranoi të bisedonte me mua për në gazetë, një bisedë magjepsëse, titulli i së cilës ishte “Këto nuk janë fjalët e mia”. Pas mirëpritjes nga lexuesi dhe komenteve pozitive, besova se vërtetë mund ta mbaja përgjegjësinë që kisha pranuar me kënaqësi. Pas tij, me radhë të gjithë: Visar Zhiti, Lucia Nadin, Matteo Mandala,  Mira Meksi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj, Luan Rama e Luan Topçiu, Xhevdet Bajraj, Elvira Dones, Luan Starova, Bashkim Shehu e shumë, vërtetë shumë të tjerë, ku mbresa tepër të veçanta më kanë lënë Ismail Kadare dhe Javier Cercas – ky i fundit në të parën intervistë për një media shqiptare e, në dijeninë time, vazhdon të jetë e vetmja.

Gjithashtu shkrime me karakter tjetër, nga risjellja në vëmendje e debateve për hartuesin e alfabetit, rikujtesa për një poete si Lux Secreta, botimi i të pjesëve nga të gjitha përkthimet e Dantes deri më ’44 si dhe përsiatje për vepra të ndryshme, ku veçoj kujtimet e djalit të Marquezit.

Duke qenë një punë e përjavshme, sapo mbyllet një numër mendohet tjetri, ndaj asnjëherë s’i kushtoj dot rëndësinë e nevojshme dhe nuk marr kënaqësinë e zakonshme nga një numër që më duket shumë i mirë. Kjo sikur po e zbehte pak idenë se vërtetë gazeta kishte krijuar gravitet, deri sa një ditë, një studiues shumë i njohur më dërgoi një bibliografi të komentuar të gazetës. Dhe më tha se bashkë me studentët e kolegët e tij, thuajse çdo javë e lexonin gazetën nga faqja e parë deri tek e fundit. Ai e bënte, të paktën, vërtetohej nga bibliografia ku secili shkrim kishte përsiatje të shkurtra, të thukëta por në kufijtë subjektivë të pikëvështrimeve tejet të sakta.

Atëherë iu riktheva e-mailit, inboxit të faqes në Facebook, komenteve dhe e pashë se po, njerëzit e duan dhe e mirëpresin gazetën, ndaj u gëzova pasi u binda se puna jonë, një staf shumë i ngushtë, nuk shkon dëm, por përkundrazi, i jep njerëzve një lloj gëzimi që nuk gjendet më në media, hapësira të stërmbushura me politikë e kronika në ngjrya të errëta. Njerëzit janë stërngopur me këtë, janë bezdisur, u janë majisur sytë e u janë shurdhuar veshët prej të njëjtit zë, të njëjtës pamje, dimensione shqisore që për fat të keq përputhen në një zbrazëtirë ku jemi të detyruar të gjendemi po të duam të ndihemi si perceptues.

Prandaj kjo datë e çerekmijëshes së “ExLibris” besoj se duhet shënuar, ose më e pakëta, unë do ta shënoj si një datë që vendos gurin e radhës në rivazhdimin e medias kulturore, traditë e ndërprerë dhunshëm dhe e rimarrë herëpashere veç për t’u ndërprerë sërish nga dara dhe shpata e mediokritetit. Sepse po, përgjatë viteve nën petkat e medias kulturore janë promovuar gjëra pa lidhje me kulturën, ndoshta si pjesë e një misioni për të thënë se kjo është kultura shqiptare, se në këtë gjendje ka vajtur.  Bashkë me ndopak portale, si për shembull Peizazhe-t, “ExLibris” po punon që ky mendim i ngritur me mbështetje të panjohur të shkojë aty ku meriton, jo në harresë por në mosqenie.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top