I ngecur në bllokimin për të konkretizuar idenë time lidhur me diçka çfarë më duhet të them, kërkova për zgjidhje të aplikuara prej shkrimtarëve kur përballen me të tilla vështirësi. Mes disa rezultateve pa rëndësi, doli edhe ajo çka laureati i “Nobel”-it në letërsi për vitin 2012, Mo Yan kishte bërë, i gjendur përballë kërkesës për të thënë një fjalë me rastin e një vlerësimi për kolegun e tij Yu Hua:
Supozohej se disa ditë më parë do të shkruaja një letër ku ta lavdëroja, sikurse e kërkon tradita, por hoqa keq për disa ditë me radhë pa mundur të nxirrja gjë në dritë. Atëherë pyeta një doktorant nëse mund të më ndihmonte me përdorimin e ChatGPT.
Ai e lë të paqartë nëse pjesa tjetër e asaj fjale, thënë para dhe pas këtij paragrafi, ishte shkruar prej tij apo prej GPT-së, por kjo s’ka edhe aq rëndësi, të paktën jo lidhur me atë çfarë dua të them unë.
Nuk mendoj se “Nobel”-i është etaloni më i rëndësishëm që mat suksesin e aq më pak, aftësinë e dikujt, por megjithkëtë, duhet pranuar se besimi në të është, për shumëkënd, gati hyjnor. Ndaj fituesit që e pranojnë çmimin, vishen domsdo me një rol shoqëror akoma më të fortë e më të ndritshëm sesa më para. Çfarë thonë, bëjnë apo shprehin publikisht ndikon jo pak në formatimin e botëkuptimeve të caktuara. Mjaft të kujtojmë, fjala bie, ndonjë laureat të çmimit në mjekësi që fliste kundër vaksinës gjatë pandemisë: Deklarata e tij tërhiqte vëmendje më të madhe sesa ajo e një tjetër specialisti, më të orientuar drejt asaj fushe të mjekësisë që merrej vërtetë me këtë punë. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik nëpërmjet inteligjencës artificiale preku edhe skajin më të fundmë, akoma të pazëvendësueshëm prej saj, krijimtarinë, si mund dhe duhet të merret kjo deklaratë e një nobelsti në letërsi? Si mundësi zgjidhjeje? Një student të cilit i kërkojnë ese, ndoshta krahasuese, madje edhe mes dy shkrimtarëve – subjekt të këtij paragrafi, çfarë të bëjë? Të pyesë ChatGPT? Këtë na thotë Yan-i?
Sigurisht, nuk fajësoj atë për sinqeritetin a snobizmin e vet, por prap, kjo kalon disa kufij të pranuar heshturazi, përtej të cilëve fshihet ajo që s’duam ta njohim sepse të njihet prej nesh e fuqizon dhe fuqizimi i saj na shkatërron. Por prapseprap, po: Mendoj se kur pranon një nderim të tillë dhe merr rolin të kthehesh nga individ në gjysmësimbol, kujdesi duhet të jetë në mos më intens, të paktën më i mirëmenduar.
ChatGPT gënjen si dreqi! Mjafton ta pyesni, p.sh. për secilin shkrimtar shqiptar përveç Kadaresë. Por kjo nuk e pengon që për secilin syresh, të ngatërruar në turlilloj të dhënash krejt të pavërteta, të hartojë fjalime rrënqethëse dhe mallëngjyese. Pra është një mashtrues klasik, i ngjashëm me frekuentuesit e zakonshëm të promovimeve (sidomos të krijimtarisë së shkrimtarëve të rinj), njerëz të cilët as që e kanë lexuar librin por ngrihen e flasin si t’u jetë fanepsur, sapo kanë parë kopertinën, emri i vetë Servantesit në krye të saj. Besoj se dhe Yan-i, po ta kishte pyetur përpara për Hua-në dhe të kishte lexuar përgjigjet, s’do ja jepte luksin t’i shkruante fjalën përshëndetëse.
Patjetër që Inteligjenca Artificiale është një ndihmë e madhe, për të gjithë, por le të mos ia japim asaj edhe ekskluzivitetin e zanafillës. Që ajo të llogarisë për ne, thjeshton shumë punë, por që ajo të shkruajë për ne, ngatërron shumë punë! Në fund të fundit, rezultatet e një llogarie janë të njëjta për këdo, por rezultatet e kërkesës për të shkruar diçka, kur kërkesa i drejtohet shumë njerëzve, qoftë edhe të gjithëve, është i ndryshëm tek secili! Po unifikuam këtë, çfarë na mbetet? Një botë ku të gjithë thonë të njëjtën gjë, është një botë ku askush s’mendon ndryshe prej tjetrit. Aq më tepër, kjo gjë e njëjtë, thënë prej të gjithëve, s’dihet te kush e ka burimin, por kushdo qoftë ai a qofshin ato, në të ardhmen, po ua dhamë mundësinë, do të na kontrollojë më frikshëm sesa thuhet në distopinë më absurde të njohur deri sot. Sepse në fillim ishte fjala, nga fjala u bë çdo gjë. Por kjo Fjalë qe e thënë nga Zoti dhe Ai ishte e është i përkryer. Ndërsa tani, fjala po thuhet prej dikujt i cili, sido qoftë, është shumë larg përkryerjes.