Rreth romanit “Albumi i thashethemeve” të Stefan Çapalikut
Andreas Dushi
“Albumi i thashethemeve” më kujtoi gjithë fëmijërinë time! Prandaj ky shkrim, përtej dëshirës për të qenë një shqyrtim i sinqertë i tekstit, është dhe një qasje e vërtetë ndaj një vetveteje të dikurshme që tanimë është harruar nën shtresat e mbivendosura të bashkëkohësive mbytëse. Sepse unë jam një ish fëmijë i rritur me gjyshen në shtëpi, dhe gjyshja kishte motra, dhe motrat e saj kishin shoqe, e ato shoqe fëmijë, kështu sa e sa herë, mblidheshin dhe për hir të moshës, ritregonin të njëjtat histori, deri në detaje të njohura prej meje, për këtë apo atë, shoqëruar nga ilustrime e mbi të gjitha, prej një shumësie variantesh për të njëjtën ngjarje.
Neni Age, gruaja e axhës së personazhit kryesor, alterego mot à mot e vetë autorit Çapaliku rrëfen si një shkodrane tipike katolike gjithë historitë e njohura nëpërmjet fotografive të ngjituna mbi faqet e albumit të saj. Ja rrëfen bashkëshortes së një kushëririt të vet, nga Tirana, në tre kohë, së pari thellë brenda komunizmit, së dyti kur atij po i vinte fundi dhe së treti, në demokraci, përherë me fotografi të ndryshme, të përshtatshme, rastësisht, me tregimin e asaj çfarë i mungonte kohës kur akti i rrëfimit realizohej. I rrëfen me ndershmëri ato copëza shkodre të cilat, pasi qyteti u thye nga komunistët, u synua të përfshiheshin në një harresë kolektive të imponuar. Dhe akoma më i bukur se vetë rrëfimi, është lakorja e nryshimeve të sjelljes që mban dëgjuesja, zonja Vitore sikurse i drejtohet rrëfyesja dhe shoqja Fitore, sikurse vetë ajo dëshiron të thirret, deri me ardhjen e demokracisë, kohë kur e braktis si Fitoren edhe shoqen dhe përqafon variantin italian, Vitore!
Ngërthimi njëri me tjetrin i situatave për të sjellë disa ngjarje ku ruhet shpirti lirik që tash një histori ishte pjesë e qytetit, por të cilin, tanimë, vetë qytetit po i kërkonin ta mohonte. Prisnin prej tij të harronte heroinat e romancave të veta dhe t’i zëvendësonte me Shkurte Vatën. Përballë kësaj ngasjeje, dy ishin rrugët, mendoj unë: Së pari, të jetoje në një realitet paralel duke mohuar krisjen e madhe të ’44 ose së dyti, ta jetoje realitetin ashtu sikurse ishte, shumicën e kohës, duke u shplodhur herë pas here në një strehë kohe të shkuar, ku mund të arrije nëpërmjet gjurmëve që ajo kohë pati lënë në letër: fotografitë.
Patjetër që Shkodra është qyteti i thashethemeve, qyteti që përflet dhe që përflitet, dhe gra të përfolura është një tjetër emër i përdorur për kurvat, kështu ka kuptim togfjalëshi i njohur Shkodër Kurva, i cili zë vendin e vet edhe te Albumi i Çapalikut.
Pas trilogjisë “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, “Albumi i thashethemeve” është kaledioskopi i ri me të cilin Stefani viziton pjesë të paeksploruara të familjes së vet, për të nxjerrë prej aty disa tipare urbane të një qyteti që, pavarësisht sa e sa përpjekjeve, nuk u kthye kurrë në ish-qytet, pikërisht falë këtyre karakteristikave që po të mos tregoheshin, do t’i varfëronin shumë dimensionet e një qasjeje sociale, historike dhe antropologjike rreth gjendjes që Shkodra ka dhe tejçon.